21/05/2025 Të Përgjithshme Kryetari i Bordit të AADF-së visiton kampusin e ri të 42 Tirana 42 Tirana mirëpriti në ambientet e sapo ndërtuara të Kampusit në Piramidën e Tiranës Kryetarin e Bordit të AADF-së, z. Michael D. Granoff. 42 Tirana është akademia më e re dhe më inovative e kodimit në kryeqytet. Vizita e z. Granoff u përqendrua kryesisht në hapësirën më të rëndësishme të kampusit, të quajtur “Cluster”. Kjo hapësirë është konceptuar posaçërisht për të nxitur ndërveprimin mes studentëve, në përputhje me metodologjinë që ofron programi. Gjatë vizitës së tij, z. Granoff u takua me disa nga kandidatët që pritet të bëhen pjesë e 42 Tirana. Ashtu si çdo qendër tjetër e rrjetit global, edhe 42 Tirana karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe dinamizmi. Me arsimim 100% falas, kjo shkollë tërheq individë nga etni, gjini, prejardhje dhe mosha të ndryshme. Çdo kandidat solli me një këndvështrim unik dhe pritshmëri të ndryshme për mundësitë që 42 Tirana ofron. Në një kohë kur tregu i punës po ndryshon rrënjësisht dhe fokusi po zhvendoset drejt industrive digjitale, AADF, në partneritet me Bashkinë e Tiranës, janë angazhuar për të fuqizuar dhe përgatitur të rinjtë shqiptarë që të përgatiten për këtë të ardhme. Galeria