AADF Lajme

21/01/2026 Kulturë & Ekoturizëm

Nis zyrtarisht Projekti “TOKA”: një model i ri për zhvillimin e bujqësisë shqiptare

Korçë, 20 janar 2026 – Në qytetin e Korçës, u nënshkrua zyrtarisht Marrëveshja e Bashkëpunimit për Projektin “TOKA”, një nismë strategjike e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), që synon transformimin afatgjatë të sektorit bujqësor shqiptar përmes një modeli modern të bazuar në inovacion, dije dhe standarde evropiane.

Marrëveshja u nënshkrua nga të gjitha palët: Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë, si dhe bashkitë Korçë, Pogradec, Maliq, Devoll, Kolonjë dhe Pustec. Nisja e projektit u përshëndet nga Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bashkë-drejtuesi i AADF, Martin Mata, si dhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Ky akt shënon nisjen zyrtare të Fazës së Parë të Projektit “TOKA”, e cila do të zbatohet fillimisht në qarkun e Korçës dhe do të shërbejë si model i replikueshëm në nivel kombëtar. Projekti “TOKA” synon të vendosë themelet për një sektor bujqësor më konkurrues dhe të qëndrueshëm, duke u fokusuar në katër shtylla kryesore: zhvillimin e sektorit bujqësor, forcimin e Sistemeve të Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (AKIS), sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore.

Gjatë Fazës së Parë, projekti do të përfshijë analizën e situatës aktuale të bujqësisë në rajon, hartimin e një roadmapi gjithëpërfshirës për zhvillimin agro-ekonomik, rritjen e kapaciteteve të aktorëve lokalë përmes trajnimeve dhe vizitave studimore, si dhe modernizimin e kurrikulave universitare në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.

AADF, si iniciatore dhe financuese e projektit, sjell në Shqipëri ekspertizë ndërkombëtare të nivelit të lartë, në partneritet me Wageningen University & Research, duke synuar ndërtimin e një modeli funksional që lidh politikëbërjen, akademinë, fermerët dhe sektorin privat.

“Ne, si fondacion, prej pesëmbëdhjetë vitesh kemi kërkuar një shteg për të hyrë në sektorin e bujqësisë. Ky është sektori më i madh dhe me potencialin më të lartë në vend, një sektor që mund të përcaktojë shumë nga e ardhmja e Shqipërisë, veçanërisht në fazën kur vendi po i afrohet Bashkimit Evropian. Modeli ‘Diamanti Holandez’ që do të sjellim konsiderohet si ‘Harvardi i bujqësisë’ në botë dhe përfaqëson bazën më të kualifikuar kërkimore dhe shkencore në Evropë. Ky model ka përcaktuar zyrtarisht politikat e 27 vendeve të BE-së për krijimin dhe funksionimin e Sistemeve të Njohurive dhe Inovacionit në Bujqësi (AKIS),” – u shpreh Martin Mata, bashkë-drejtues i AADF.

Projekti “TOKA” është konceptuar si një ndërhyrje afatgjatë me tre faza zhvillimi. Pas përfundimit të Fazës së Parë, në të cilën do të investohen 2 milionë dollarë, do të vlerësohen rezultatet dhe do të shqyrtohet shtrirja e projektit në fazat pasuese, me synimin për zbatim në nivel kombëtar dhe përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Me këtë nismë, Korça shndërrohet në një model të ri zhvillimi bujqësor, që synon rritjen e mirëqenies së komuniteteve rurale, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përgatitjen e sektorit bujqësor shqiptar për integrimin evropian.

Galeria

Albanian-American Development Foundation
Cookies Policy

We use cookies to make our site work properly, to personalize content and ads, to provide social media features and to analyze our traffic. We also share information about how you use our site with our social media, advertising and analytics partners. Read the Cookies Policy.