16/05/2025 Arsim & Lidership Presidenti Macron viziton 42 Tirana 42 Tirana mirëpriti Presidentin francez Z. Emmanuel Macron, i cili vizitoi kampusin së bashku me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama. Vizita shënoi një moment krenarie për 42 Tirana, një pjesë e rrjetit botëror 42, lindur në Francë dhe sjellë në jetë në Shqipëri përmes partneritetit midis AADF, Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Piramida. Presidenti Macron dhe Kryeministri Rama u pritën nga Znj. Donjeta Sahatçiu, Drejtoreshë e 42 Tiranës. Me ta ishin edhe të ftuar që luajtën rol kyç në themelimin e programit, përfshirë Z. Xavier Niel, themelues i rrjetit 42; Z. Martin Mata dhe Z. Aleksandër Sarapuli, Bashkëdrejtorë Ekzekutiv të AADF-së; Znj. Anuela Ristani, kryetare e komanduar e Bashkisë Tiranë; si dhe Znj. Shqipe Berisha, Drejtoreshë e Qendrës Piramida, së bashku me ambasadorë, ministra dhe të ftuar të tjerë. Gjatë vizitës në kampusin, teksa studentët punonin me projektet e tyre, të ftuarit përjetuan nga afër energjinë unike që karakterizon 42 Tirana. Një mënyrë e re e të mësuarit: pa mësues, pa tarifa shkollimi, pa klasa, por me bashkëpunim dhe zgjidhje praktike të problemeve. Është një model që fuqizon të rinjtë të zhvillojnë aftësitë dhe mënyrën e të menduarit që u nevojitet për të ardhmen digjitale. Galeria