06/12/2023 Kulturë & Ekoturizëm Transhumanca bëhet pjesë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO. Praktika e lashtë e transhumancës, lëvizja sezonale e njerëzve dhe bagëtive të tyre përmes rajoneve gjeografike dhe klimatike për kullota, u regjistrua zyrtarisht në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Ky vendim i rëndësishëm u mor gjatë Sesionit të 18-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, i mbajtur në Botsvanë në dhjetor 2023. Ky moment historik shton Shqipërinë në listën e vendeve të njohura për ruajtjen e kësaj tradite të hershme, krah Andorrës, Francës, Kroacisë, Luksemburgut, Rumanisë, Spanjës dhe vendeve që u regjistruan më parë, si Italia, Austria dhe Greqia (2019). AADF luajti një rol të rëndësishëm në këtë arritje duke mbështetur financiarisht Ministrinë e Kulturës në përgatitjen e dosjes. Ky proces përfshiu bashkëpunimin me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë si pjesë e një projekti të dedikuar për përfshirjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. Transhumanca shkon përtej lëvizjes sezonale të njerëzve dhe bagëtive; ajo është shtylla kurrizore e jetës rurale në Shqipëri, e ndërthurur ngushtë me ekonominë lokale, kulturën dhe traditat. Kjo praktikë formëson jetesën përmes ndikimit të saj në gastronomi, artizanat dhe festat që shënojnë kalendarin vjetor. Komunitetet përgjatë rrugëve të transhumancës luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kësaj tradite, duke organizuar festivale dhe orë mësimore që promovojnë vazhdimësinë e saj. Për shekuj me radhë, familjet shqiptare e kanë praktikuar dhe përcjellë këtë traditë, jo vetëm si një metodë menaxhimi të bagëtive, por si një mënyrë jetese që promovon përfshirjen sociale, forcon identitetin kulturor dhe rruan lidhjet mes territoreve.