16/12/2024 Kulturë & Ekoturizëm Trajnimi i Parë për Digjitalizimin RTI për Specialistët e Butrintit Specialistët e muzeut dhe të arkeologjisë në Butrint kanë përfunduar me sukses trajnimin e tyre të parë për përvetësimin e teknikave të avancuara të digjitalizimit RTI (Reflectance Transformation Imaging). Ky trajnim u realizua në kuadër të projektit EXPA, ku bashkë me trajnimin specialistëve iu vunë në dispozicion pajisje bashkëkohore për realizimin e proceseve të digjitalizimit. Këto aftësi të reja do të mundësojnë dokumentimin dhe promovimin e pikave të shumta me interes publik dhe shkencor në Butrint. Manuali i ri i punës për specialistët do të përmbajë udhëzime për dokumentimin dhe promovimin e koleksionit muzeal të Butrintit, identifikimin e zonave me nevojë për ndërhyrje konservuese, si dhe monitorimin e ndryshimeve fizike të monumenteve përmes teknikës RTI. Kjo teknologji e avancuar mundëson identifikimin me saktësi të lartë të ndryshimeve fizike apo dëmtimeve të mundshme, duke ofruar një mjet të vlefshëm për mirmbajtjen afatgjatë të monumenteve. Specialistët e trajnuar do të krijojnë gjithashtu materiale fotografike për të ndihmuar në promovimin e sitit. Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të praktikave të dokumentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore në Butrint, duke kontribuar në njohjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore për brezat e ardhshëm. Galeria