16/11/2021 Kulturë & Ekoturizëm Vizioni ambicioz i Butrintit: Një model për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe natyrore Ministria e Kulturës nënshkroi një marrëveshje me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit me qëllim nisjen e zbatimit të planit të menaxhimit të integruar hartuar nga qeveria shqiptare. Synimi i kësaj marrëveshje është administrimi i efektshëm i Butrintit si Vend i Trashëgimisë Botërore duke themeluar një fondacion të dedikuar për këtë qëllim. Bordi drejtues i këtij fondacioni do të përbëhet kryesisht nga përfaqësues të AADF dhe Ministrisë së Kulturës, duke rezervuar vende edhe për ekspertët ndërkombëtarë. AADF ka riafirmuar edhe njëherë mbështetjen dhe financimin e zbatimit të një modeli të ri menaxhimi për parkun e Butrintit. Fondet do të investohen në përputhje me vizionin e planit për ta kthyer parkun e Butrintit në “…një model menaxhimi të qëndrueshëm të vendeve me elemente kulturore dhe natyrore, duke u kthyer në një qendër të turizmit rajonal, dhe duke u ofruar vizitorëve një përvojë unike nëpërmjet angazhimit të komuniteteve vendase dhe institucioneve financiare për të dhënë një model i cili do të mund të ndiqet edhe nga parqe të tjera në Shqipëri.” Si pjesë e marrëveshjes së administrimit, u nënshkrua edhe Protokolli i Bashkëpunimit midis fondacionit dhe Institutit të Arkeologjisë, i cili do të rregulloj marrëdhënien midis dy institucioneve në të ardhmen. Në kuadrin e kësaj marrëveshje, Ministria e Kulturës është përgjegjëse për ruajtjen e vlerave të pasurive kulturore në pronësi shtetërore, edhe në rastet e bashkë-administrimit me palë të treta. Sipas marrëveshjes, do të nevojitet aprovimi i parlamentit shqiptar për të administruar pasuri universale (të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO), duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe transparencë. Galeria