13/10/2026 Arsim & Lidership AADF dhe Ministria e Arsimit rikonfirmojnë mbështetjen e Shkollës së Drejtorëve deri më 2033 Partneriteti i ri synon të përgatisë brezin e ardhshëm të drejtuesve të arsimit parauniversitar dhe të sigurojë qëndrueshmërinë afatgjatë të institucionit. Tiranë, 13 tetor 2026 – Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Arsimit rikonfirmuan angazhimin e tyre afatgjatë për forcimin e lidershipit në arsimin parauniversitar, përmes nënshkrimit të amendimit të marrëveshjes për Shkollën e Drejtorëve. Marrëveshja përcakton mbështetjen dhe bashkëfinancimin e veprimtarisë së Shkollës për periudhën 2027–2033, me synimin që sistemi arsimor shqiptar të ketë një bazë të qëndrueshme drejtuesish të përgatitur dhe të certifikuar, ndërsa institucioni të ecë gradualisht drejt një modeli të qëndrueshëm financiar edhe përtej financimit të AADF-së. Ceremonia e nënshkrimit solli në vëmendje jo vetëm rezultatet e arritura nga Shkolla e Drejtorëve deri më sot, por edhe rolin që drejtimi cilësor i një shkolle ka në mbështetjen e mësuesve, krijimin e kulturës së institucionit dhe përmirësimin e përvojës së të nxënit për nxënësit. Nga një nismë e përbashkët në një institucion kombëtar Shkolla e Drejtorëve lindi nga vizioni i përbashkët i AADF-së dhe Ministrisë së Arsimit për të ndërtuar një sistem profesional, meritokratik dhe të qëndrueshëm të drejtimit të institucioneve të arsimit parauniversitar. Rrugëtimi nisi në vitin 2017, me vizionin e përbashkët të AADF-së dhe Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një sistemi profesional, meritokratik dhe të qëndrueshëm të drejtimit të shkollave; e bazuar në modelin e suksesshëm të Avney Rosha në Izrael dhe vendosur në kontekstin Shqiptar. Pas Memorandumit të Mirëkuptimit të 24 nëntorit 2017, më 4 tetor 2018 u nënshkrua marrëveshja për themelimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar. Sot, Shkolla është e fokusuar në përgatitjen, certifikimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të drejtuesve dhe kandidatëve për drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare. Nga grupi i parë pilot me 46 pjesëmarrës, programi është shndërruar në një model kombëtar me standarde të strukturuara trajnimi, vlerësimi dhe certifikimi. Deri më sot, Shkolla ka regjistruar 5 060 aplikime dhe 2 495 kandidatë kanë ndjekur programet e saj, prej të cilëve 2,110 kandidatë janë certifikuar me sukses. Paralelisht, rreth 7 500 drejtues dhe mësues kanë përfituar nga programet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional. Ndikimi i këtij investimi shtrihet shumë përtej vetë pjesëmarrësve në program. Sipas vlerësimeve të projektit, drejtuesit e certifikuar punojnë çdo vit në komunitete shkollore që përfshijnë rreth 15,000 mësues dhe 300,000 fëmijë. Angazhimet për periudhën 2027–2033 Amendimi i marrëveshjes ekzistuese vijon angazhimet e shprehura në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar më 29 maj 2026 dhe përcakton kushtet e bashkëfinancimit sipas Planit të Biznesit 2027–2033. Për këtë fazë të re, AADF ka miratuar një buxhet shtesë deri në 2,1 milionë dollarë amerikanë për mbështetjen e Shkollës së Drejtorëve, në funskion të objektivave dhe nevojave të parashikuara për periudhën 2027–2033. Ministria e Arsimit do të marrë një rol financiar gjithnjë e më të madh duke nisur që nga viti 2030, sipas nivelit të përcaktuar në Planin e Biznesit dhe duke e integruar këtë financim në planifikimin buxhetor afatmesëm. Gjithashtu, Ministria do të vijojë të sigurojë hapësirat e nevojshme të punës dhe shërbimet mbështetëse për funksionimin e Shkollës. Kjo fazë synon jo vetëm vijimësinë e institucionit, por edhe adresimin e nevojave të ardhshme të sistemit. Sipas vlerësimit të paraqitur për periudhën e ardhshme, deri në vitin 2033 nevojiten rreth 2 450 profesionistë të tjerë të trajnuar dhe të disponueshëm për pozicione drejtuese. Zgjerimi i bazës së kandidatëve të kualifikuar synon të forcojë konkurrencën, meritokracinë dhe cilësinë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve arsimore. Përmes këtij partneriteti afatgjatë, AADF dhe Ministria e Arsimit synojnë që deri në vitin 2033 Shqipëria do të ketë jo vetëm më shumë drejtues të përgatitur profesionalisht, por edhe një institucion të konsoliduar, të qëndrueshëm dhe të aftë të vazhdojë misionin e tij në mënyrë të pavarur dhe afatgjatë. Galeria