AADF Lajme

12/10/2026 Arsim & Lidership

AADF investon 2.7 milionë dollarë për godinën e re të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore

Nis projekti për ndërtimin e ambienteve të reja të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, një investim që modernizon infrastrukturën e provimeve kombëtare dhe forcon transparencën, sigurinë dhe standardet e vlerësimit në arsim.

Tiranë, 12 tetor 2026 – Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, shënoi sot nisjen simbolike të projektit për krijimin e ambienteve të reja të Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA), pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, teksa punimet e ndërtimit pritet të nisin brenda pak javësh.

Investimi prej 2.7 milionë dollarësh, i mbështetur nga AADF, parashikon ndërtimin e ambienteve të reja, pajisjen e tyre me infrastrukturë moderne teknologjike si dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për administrimin e provimeve kombëtare dhe atyre të profesioneve të rregulluara.

Ky investim i shtohet kontributit të miratuar më herët nga AADF për rritjen e kapaciteteve, proceseve dhe standardeve të institucionit.

“Reformimi i këtij institucioni synon të rrisë besimin tek institucionet në një kohë kur mosbesimi në përgjithësi është në rritje në të gjithë botën, në çdo fushë. Por, përmes AKSHA-s së re, testimet dhe certifikimet do të kenë garanci për vërtetësinë. Do të jemi të sigurt që një mësues apo një mjek e ka merituar vërtet certifikimin e marrë nga shteti për t’u kualifikuar për punën që bën. E kështu për çdo profesion që AKSHA jep të drejtën e ushtrimit të profesioneve.” – Michael D. Granoff, Kryetar i Bordit të AADF.

Në ceremoninë e zhvilluar pranë ambienteve ku do të jetë shtëpia e re e AKSHA morën pjesë Kryetari i Bordit të AADF-së, Michael Granoff, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përfaqësues të Bordit dhe drejtues të AADF-së, si dhe drejtues e përfaqësues të AKSHA-s.

“Forcimi i institucionit të AKSHA është një vendim fisnik për të garantuar besimin e publikut për shërbimet publike. Ne do të rikonsiderojmë portofolin e shërbimeve që ofrojmë, jo vetëm me shërbime publike por edhe në cilësi. Pak vite më parë nuk imagjinonim dot që provimet e shtetit të kalonin nga letra në ekran dhe nga dyshimi në besim. Ne kemi zgjedhur ta bëjmë me AADF sepse ju na keni dhënë modelin e duhur. Filozofia e AADF është që ata dinë të zbatojnë si duhet paratë që investojnë.” – Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit

Nga infrastruktura e re, drejt një sistemi më modern dhe të besueshëm vlerësimi

Projekti është pjesë e një reforme më të gjerë institucionale të mbështetur nga AADF, që synon forcimin e kapaciteteve të institucionit përgjegjës për administrimin e provimeve kombëtare dhe të profesioneve të rregulluara në Shqipëri.

Bazuar në vlerësimet strategjike dhe analizën e nevojave të realizuara nga Cambridge University Press & Assessment, transformimi i institucionit kërkon jo vetëm përmirësimin e modelit të funksionimit dhe të kuadrit institucional, por edhe një infrastrukturë që garanton standarde të larta sigurie, integriteti dhe transparence.

Godina e re do të ketë një sipërfaqe prej rreth 3,500 m², krahasuar me 740 m² të ambienteve aktuale. Kapaciteti për zhvillimin e provimeve digjitale do të rritet nga 57 në 213 poste testimi, ndërsa hapësirat e punës do të mundësojnë zgjerimin e stafit nga 35 në rreth 90 punonjës.

Ambientet e reja do të përfshijnë pesë salla për testime digjitale, pesë salla monitorimi, hapësira të dedikuara për përgatitjen dhe ruajtjen e sigurt të materialeve të provimit, si dhe salla trajnimi, ambiente mbështetëse dhe infrastrukturë të përshtatur për personat me aftësi të kufizuara.

Këto përmirësime synojnë të krijojnë kushtet për një administrim më efikas dhe të sigurt të vlerësimit, duke e çuar sistemin e provimeve drejt standardeve më bashkëkohore.

Një investim në cilësinë dhe integritetin e arsimit

Mbështetja për infrastrukturën e re është pjesë e angazhimit afatgjatë të AADF-së për reformimin e institucionit, në partneritet me Ministrinë e Arsimit.

Programi i përgjithshëm i reformës, me një buxhet të parashikuar prej 4.15 milionë dollarësh, përfshin forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e proceseve të administrimit të provimeve, zhvillimin e infrastrukturës teknologjike dhe avancimin drejt një modeli institucional më profesional dhe autonom.

Përmes këtij investimi, AADF synon të kontribuojë në krijimin e një sistemi vlerësimi ku besueshmëria e rezultateve, integriteti i proceseve dhe mundësitë e barabarta të jenë në qendër të funksionimit të institucionit.

Projekti teknik i ambienteve të reja ka përfunduar dhe i është dorëzuar Ministrisë së Arsimit dhe AKSHA-s, ndërsa realizimi i projektit pritet të zgjasë rreth 12 muaj, me synimin që institucioni të vendoset në ambientet e reja në fund të vitit 2027.

Investimi shënon një tjetër hap në përpjekjet për modernizimin e arsimit shqiptar, nga ndërhyrjet infrastrukturore drejt transformimit të qëndrueshëm institucional dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve publike në arsim.

Albanian-American Development Foundation
Cookies Policy

We use cookies to make our site work properly, to personalize content and ads, to provide social media features and to analyze our traffic. We also share information about how you use our site with our social media, advertising and analytics partners. Read the Cookies Policy.