AADF Lajme

05/05/2026 Kulturë & Ekoturizëm

AADF dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkruajnë marrëveshje për paketën e dytë të dosjeve shqiptare në UNESCO

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkruan sot një Memorandum/Marrëveshje Kuadër bashkëpunimi për vijimin e procesit të përgatitjes së paketës së dytë të dosjeve për elementet shqiptare për nominim në Listen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Regjistrin e praktikave të mira të ruajtjes të UNESCO.

Ky bashkëpunim vjen në vijim të partneritetit të suksesshëm mes AADF dhe institucioneve shqiptare për paketën e parë të dosjeve, e cila rezultoi me përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO të katër elementeve të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale: Xhubleta, Transhumanca, Kërcimi i Tropojës dhe Lahuta.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk duhet të jetë e izoluar, por duhet të ndahet me të tjerë. Përmes partneritetit tonë me Ministrinë, Shqipëria jo vetëm po forcon vlerësimin për trashëgiminë e vet, por po pozicionohet për ta ndarë atë me botën. Së bashku kemi arritur rezultate të rëndësishme përmes UNESCO, dhe po ndërtojmë mbi këtë momentum për ta vendosur Shqipërinë si një lider global në trashëgiminë kulturore jomateriale. Kjo nuk është vetëm për të ruajtur të shkuarën, por për të investuar në të ardhmen, duke krijuar mundësi për qytetarët tanë dhe duke hapur Shqipërinë ndaj botës.” – z. Michael D. Granoff, Kryetar i Bordit të AADF.

Kjo paketë e dytë do të përfshijë elementë të cilat janë tashmë pjesë e regjistrit kombëtar të trashëgimisë jomateriale dhe gëzojnë të gjitha karakteristikat për t’u përfshirë në këtë proces në përputhje të plotë me kërkesat teknike të UNESCO-s për nominim.

  • Dollia – riti i mikpritjes shqiptare – për Listën Përfaqësuese;
  • Dija dhe tradita e mbajtjes së plisit – për Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Nevojë për Mbrojtje Urgjente;
  • Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës – për Regjistrin e Praktikave më të Mira të Ruajtjes;
  • Ritualet e pranverës – Moti i Madh – për Listën Përfaqësuese, si nominim shumëpalësh me Italinë.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje AADF do të mbështesë procesin finaciarisht me një fond prej 350,000 USD të dedikuar për fazën kërkimore dhe përgatitjen e të gjithë elementëve të dosjeve përmes angazhimit të ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë,
Ky rol e pozicionon AADF si një partner mbështetës në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale për hartimin e dosjeve cilësore, duke kontribuar në ruajtjen, promovimin dhe ndërkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare.

“Memorandumi i ri ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Albanian-American Development Foundation përfaqëson një hap strategjik për të ardhmen. Ky bashkëpunim synon përgatitjen dhe dorëzimin e katër dosjeve të reja për regjistrim në UNESCO. Procesi parashikohet të jetë i strukturuar dhe i mbështetur si financiarisht, ashtu edhe teknikisht. Qëllimi është forcimi i prezencës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore. Gjithashtu, synohet krijimi i një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërinstitucional. Ky është një investim afatgjatë në identitetin tonë kombëtar.”– z. Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Bazuar në përvojën e krijuar gjatë përgatitjes së nominimeve të mëparshme që rezultuan të suksesshme, grupet ekspertëve që do të angazhohen për procesin do të jenë ekspertë të propozuar nga institucione kërkimore me përvojë në hulumtimin e fenomeneve të kulturës jo materiale. Dorëzimi formal i dosjeve do të udhëhiqet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa procesi i vlerësimit dhe vendimmarrja përfundimtare për regjistrimin e tyre mbeten subjekt i procedurave të brendshme të komiteteve vlerësuese të UNESCO-s.

Ceremonia e sotme shërbeu si një prezantim i parë publik i katër dukurive të propozuara, duke shënuar nisjen zyrtare të punës së përbashkët në këtë hap të radhës për promovimin e vlerave më të spikatura të trashëgimisë jomateriale shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Galeria

Albanian-American Development Foundation
Cookies Policy

We use cookies to make our site work properly, to personalize content and ads, to provide social media features and to analyze our traffic. We also share information about how you use our site with our social media, advertising and analytics partners. Read the Cookies Policy.