30/03/2021 Arsim & Lidership Xhubleta dhe K’cimi i Tropojës propozohen për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s AADF në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dorëzuan me sukses dosjet për përfshirjen në listën e UNESCO -s të dy elementëve shqiptar të trashëgimisë kulturore siç janë Xhubleta dhe “K’cimi i Tropojës”. Dosjet u dorëzuan në UNESCO nga Ministria e Kulturës në datën 30 Mars 2021, respektivisht Xhubleta për në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Rrezik, ndërsa K’cimi i Tropojës në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Procesi i hartimit të dosjeve të nominimit u administrua nga AADF përmes angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore jomateriale, konsulentëve shqiptarë dhe komuniteteve lokale. Përgatitja e dosjeve u financua nga AADF me qëllim për të promovuar këto vlera kulturore të përçuara nga brezi në brez, për t’u siguruar komuniteteve lokale një ndjenjë identiteti dhe vazhdimësie në nivel ndërkombëtar. Bashkëpunimi i AADF-së me Ministrinë e Kulturës do të vijoj me hartimin e dy dosjeve të tjera për Listën e UNESCO-s të 2022, për ‘Transhumanca’ dhe ‘Eposi i Kreshnikëve i kënduar me Lahutë’.