22/07/2020 Kulturë & Ekoturizëm Plani i Menaxhimit të Integruar synon ta kthej Butrintin në një model për t’u ndjekur Në datën 22 Korrik 2020, Qeveria Shqiptare miratoi Planin e Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit (2020-2030). I financuar nga AADF dhe i hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me institucione të tjera partnere si AKZM, Instituti i Arkeologjisë, Porti i Sarandës, agjenci të ndryshme turistike, si dhe përfaqësues të komunitetit lokal. Vizioni i cili udhëheq planin ka si synim që Parku Kombëtar i Butrintit të njihet si një model i menaxhimit të qëndrueshëm të vendeve të cilat përmbajnë elemente kulturore dhe natyrore. Ai synon shndërrimin e Parkut të Butrinit në një qendër të turizmit rajonal, duke u ofruar vizitorëve një përvojë unike nëpërmjet angazhimit të komuniteteve vendase dhe institucioneve kombëtare. Qëllimi përfundimtar i planit të ri të menaxhimit është që Butrinti të shërbej si model për parqe apo vende të trashëgimisë kulturore të ngjashme në Shqipëri. Si i pari i këtij lloji, ky plan menaxhimi është hartuar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor Shqiptar si dhe me Agjendën për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, ky dokument synon të ofrojë një qasje të re për sa i përket vendeve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në vend. Ai adreson çështje të cilat lidhen me kufizimet e instrumenteve të menaxhimit, zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e turizmit kulturor, ngritjen e kapaciteteve në menaxhim si dhe qasjen kundrejt komuniteteve vendase. Galeria