30/07/2026 Kulturë & Ekoturizëm Butrinti vlerësohet në UNESCO për modelin e integruar të menaxhimit Busan, Republika e Koresë – Modeli i integruar i menaxhimit të Butrintit mori vlerësim pozitiv gjatë Sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku u prezantua si një shembull i menaxhimit të integruar të një siti të Trashëgimisë Botërore. Në qendër të prezantimit ishte modeli i menaxhimit të Butrintit, i cili vendos komunitetin në zemër të procesit të vendimmarrjes. Ky model mbështetet në një qasje ku komuniteti bëhet partner aktiv në menaxhim, ruajtja e trashëgimisë ecën krah zhvillimit të qëndrueshëm dhe planifikimi strategjik përkthehet në veprime konkrete. Gjatë periudhës tranzitore, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit hartoi një sërë planesh të specializuara që përbëjnë bazën e Planit të Integruar të Menaxhimit të sitit. Këto përfshijnë Planin e Menaxhimit të Konservimit Arkeologjik, Planin Hidrologjik dhe Ekologjik, Planin për Shëndetin dhe Sigurinë dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, Planin për Menaxhimin e Trafikut, Transportit dhe Vizitorëve, si dhe Planin për Angazhimin dhe Zhvillimin e Komunitetit. Në kuadër të Sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, planet e hartuara gjatë periudhës tranzitore u mirëpritën për rëndësinë e tyre strategjike, vlerën teknike dhe rolin konkret në zbatimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Butrintit. Prezantimi vuri në dukje gjithashtu se Butrinti është në të njëjtin standard me praktikat më të mira ndërkombëtare të menaxhimit të siteve të Trashëgimisë Botërore. Sipas të dhënave të paraqitura, në Evropë dhe Amerikën e Veriut, 89.5% e siteve kanë një plan menaxhimi, ndërsa vetëm 61% e zbatojnë dhe e monitorojnë plotësisht atë. Në këtë kontekst, u theksua se Butrinti disponon një Plan të Integruar Menaxhimi, i vlerësuar si i përshtatshëm për ruajtjen e Vlerës Universale të Jashtëzakonshme të sitit. Vlerësimi në UNESCO përforcon rëndësinë e planifikimit të integruar si bazë për një menaxhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Butrintit. Galeria