AADF Lajme

21/08/2021 Sipërmarrje

Tradita vazhdon, Festa e Birrës në Korçë rikthehet plot entuziazëm

Festa e Birrës në Korçë u rikthye plot entuziazëm pas ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia e Covid-19. Edicioni i 15-të i kësaj tradite lokale, si i vetmi festival madhor dedikuar birrave të prodhuara në Shqipëri, tërhoqi turma jashtëzakonisht të mëdha vizitorësh këtë vit.

TID Korça dhe Pazari i Vjetër mirëpritën miq nga anembanë Shqipërisë si dhe vizitorë të huaj, duke u ofruar atyre një shije të jetës artistike dhe mikpritjes për të cilën shquhet ky qytet. Korça ka një traditë të pasur të prodhimit të birrës dhe Birra Korça është një nga markat më të hershme dhe të njohura në vend, e cila shpesh konsiderohet si birra e parë shqiptare.

Çdo vit Festa e Birrës në Korçë bashkon të gjithë ata të cilët ndajnë pasionin për birrën, muzikën dhe entuziazmin për të festuar. Një festival birre në një qytet të mbushur me tradita të artit, kulturës dhe serenatave është diçka e magjishme. Arkitektura e Pazarit të Vjetër dhe zonës pedonale të restauruara me kujdes ishin dekori ideal për një festë e cila me shumë gjasa do të kthehet në një tradite të vyer kombëtare.

 

 

Galeria