AADF Lajme

28/11/2022 Kulturë & Ekoturizëm

Xhubleta regjistrohet në Listën e Trashëgimisë Jomateriale të UNESCO-s

Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka vendosur që Xhubleta të regjistrohet në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të cilat kanë nevojë për mbrojtje urgjente. Vendimi u shpall gjatë seancës së shtatëmbëdhjetë të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të mbajtur në Mbretërinë e Marokut në Rabat më 28 Nëntor 2022.

Komiteti gjithashtu ka vendosur të miratoj kërkesën për asistencë ndërkombëtare në zbatimin e planit mbrojtës për Xhubletën dhe të financojë shumën prej 91,092 dollarë për këtë qëllim. Projekti i propozuar ka shtrirje kombëtare dhe përfshin pjesëmarrjen e komuniteteve nën koordinimin e Ministrisë së Kulturës, si dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Malësisë së Madhe dhe OJF-të lokale.

Mbështetja e vazhdueshme financiare e AADF-së për trashëgiminë kulturore materiale dhe jomateriale të Shqipërisë synon të përmirësojë jo vetëm mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur të vendit si pjesë e identitetit evropian, por edhe të nxis një zhvillim ekonomik më të qëndrueshëm për komunitetin vendas.