23/11/2020 Arsim & Lidership AADF bashkëpunon me Ministrinë e Kulturës për të arritur përfshirjen e trashëgimisë kulturore jomateriale të Shqipërisë në listën e UNESCO-s AADF dhe Ministria e Kulturës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për të mbështetur përgatitjen e aplikimeve të katër elementeve të trashëgimisë kulturore jomateriale për tu përfshirë në “Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit” nga UNESCO. AADF do të mbështesë financiarisht grupet e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë të cilët do të kryejnë hulumtimin dhe përgatitjen e aplikimit për elemente të trashëgimisë kulturore jomateriale siç janë “Xhubleta”, “K’cimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Eposi i Kreshnikëve” dhe “Rituali i lashtë i shtegtimit të bagëtive”. Mbështetja financiare e AADF-së për këtë projekt është 220,000 dollarë për një periudhë kohore nga viti 2020 deri në vitin 2023, duke synuar si objektiv përfundimtar përfshirjen e këtyre elementëve në listën e UNESCO-s. Ky projekt dëshmon edhe më tej angazhimin e AADF në fushën e trashëgimisë kulturore duke u përqendruar drejtpërsëdrejti tek komunitetet lokale dhe promovimi i zakoneve dhe traditave që ato mbartin.