AADF Lajme

04/09/2020 Arsim & Lidership

CleanScore dhe AADF mundësojnë tekste të rëndësishme akademike për studentët shqiptarë

AADF ka prezantuar tre tekste akademike të përkthyera në Tetor 2019, të cilat tashmë janë gati për përdorim në sallat e leksioneve anembanë Shqipërisë. Këto tekste akademike fillimisht janë botuar nga shtëpi botuese prestigjioze si “Pearson&McGraw-Hill”.

Profesorët dhe studentët e pritën me entuziazëm mundësinë për t’i  përfshirë botimet më të fundit si “Kontabiliteti Financiar”, “Biznesi Ndërkombëtar”, dhe “Financat Personale” në programin e tyre studimor. Së bashku me tekstin “Sipërmarrja”, këto katër libra tashmë mund të blihen online nga studentët. Ato gjithashtu janë promovuar në universitetet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përgjatë vitit akademik. Pavarësisht sfidave të COVID-19, projekti ka vazhduar të jetë aktiv në përkthimin e teksteve akademike ndërkombëtare.

Aktualisht po punohet për përkthimin e librit të pestë, “Bazat e Menaxhimit”, redaktimi shkencor i të cilit po udhëhiqet nga Prof. Shyqyri Llaci. Ekipi i përkthimit përfshin Prof. Rezart Prifti (FEUT), Prof. Olta Nexhipi (UAMD), Prof. Ermira Qosja (UET), dhe Prof. Ilir Kapaj. Versionet në format elektronik të këtyre pesë librave tashmë mund të gjenden në platformën “Libre.al”, e cila mundëson për herë të parë në Shqipëri botimin e sigurt dhe blerjen e librave elektronik, duke mbrojtur të drejtat e autorit nëpërmjet teknologjisë DRM. Kjo platformë synon të zvogëlojë pengesat e lexuesve, duke ofruar materiale leximi të shumëllojshme dhe duke ulur koston e librave nëpërmjet shpërndarjes në format elektronik.

Galeria