15/07/2023 Sipërmarrje Gjirokastra mirëpret mbledhjen e rrjetit BID/TID shqiptar Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe edhe qyteti i gurtë, mirëpriti mbledhjen më të fundit të rrjetit BID/TID shqiptar. Kjo mbledhje u organizua me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Pjesëmarrës ishin përfaqësues të bizneseve si dhe administratorë të shoqatave të këtij rrjeti si: BID Shkodra, BID/TID Korça, BID Berati, TID Kruja, TID Tirana, TID Vlora dhe mikpritësja TID Gjirokastra. Në diskutime u përfshinë dhe përfaqësues të Bashkive përkatëse të këtyre qyteteve, ku për Bashkia Shkodër, z. Rudin Beka (nënkryetari), për Bashkinë Gjirokastër, znj. Esmeralda Llongo (nënkryetare) dhe Bashkinë Krujë z. Xhulian Kafexhiu (përgjegjës për turizmin). Në këtë takim u prezantua fillimi i procedurave konkrete të përshtatjes së shoqatave me ligjin për Përmirësimin e Zonave Të Biznesit (BID), për TID Gjirokastra, BID/TID Korça dhe BID Berati. Ndërsa pritet që edhe shoqatat e tjera të këtij rrjeti t’i nënshtrohen këtij procesi.