13/05/2023 Arsim & Lidership Gjimnazistët shqiptarë marrin përsipër t’u përgjigjen pyetjeve të rëndësishme të kohëve tona Shumë nga debatet e kohëve tona, siç janë ato rreth ndikimit të inteligjencës artificiale, influencohen nga mungesa e informacionit dhe të kuptuarit. Duke u përfshirë në diskutime të hapura rreth këtyre çështjeve, ne mund të largojmë frikën me të cilën trajtohen këto tema dhe të kuptojmë më tepër rreth tyre. Kampionati Kombëtar i Debatit të Shkollave të Mesme, i cili u organizua nga JAA, kishte për qëllim trajtimin e këtyre temave nga këndvështrimi i talenteve më të mirë të debatit në Shqipëri. Nga rreth 16 skuadrat pjesëmarrëse, dy prej tyre u përzgjodhën për të kaluar në fazën finale: Ekipi i debatit nga gjimnazi “Naim Frashëri” Durrës dhe ekipi i debatit nga gjimnazi “Ernest Koliqi” Tiranë. Në një përballje finale midis këtyre dy skuadrave, gjimnazi “Naim Frashëri” Durrës u shpall si fitues i këtij kampionati , dhe do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në “World School Debate Competition 2023” që zhvillohet në Hanoi (Vietnam) në datat 18-28 korrik 2023. Duke zhvilluar aftësitë e tyre të debatit, studentët jo vetëm që përmirësojnë veti thelbësore si të menduarit kritik, komunikimin e efektshëm, dhe fuqinë bindëse, por edhe nxisin komunikimin me respekt ndaj njëri-tjetrit. Këto aftësi së bashku me vetëbesimin e përftuar do të shërbejnë si vlera të mëdha në zhvillimin e tyre personal dhe profesional. Galeria