AADF Lajme

01/10/2021 Arsim & Lidership

Memorandumi i Mirëkuptimit hap rrugën drejt aftësimit IA të rinisë shqiptare

Brezit të ardhshëm të novatorëve i nevojiten aftësitë dhe materialet e nevojshme për të kuptuar konceptet e inteligjencës artificiale (IA), dizajnin, dhe rëndësinë e saj në botën e sotme digjitale.

AADF ka shfrytëzuar mundësinë strategjike për të bashkëpunuar me kompaninë Intel në krijimin e një programi i cili do të aftësojë studentët shqiptarë për të përdorur teknologjinë IA si dhe për të përfituar aftësi komunikimi.

Programi “AI for Youth” aktualisht po zbatohet në mbi 20 vende në mbarë botën, duke u mundësuar pjesëmarrësve të përfitojnë dhe të zbatojnë aftësitë IA në zgjidhjen e problemeve reale.

AADF, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për projektin “AI for Youth”-një program i cili do të zgjasë dy vjet e gjashtë muaj, dhe i cili do të zbatohet fillimisht në pesë shkolla publike dhe dy qendra trajnimi. Shtatë laboratorë IA do të ndërtohen, duke u mundësuar mësuesve të certifikuar si dhe nxënësve një njohje thelbësore te teknologjisë së inteligjencës artificiale. Ky projekt synon çmitizimin e IA duke i pajisur pjesëmarrësit me mendësinë dhe aftësitë e nevojshme për ta përdorur atë në punën e përditshme.

Kryetari i bordit të AADF, Z. Michael Granoff, dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi, theksuan se ky program do t’i ofrojë rinisë shqiptare mundësinë për të përfituar aftësi IA në mënyrë etike. Ky program, i zhvilluar nga kompania Intel, e cila shquhet për krijimin e teknologjive të cilat ndryshojnë botën, do t’u mundësojë atyre t’i zbatojnë ato në mënyrë të efektshme.