TID/BID Korça
Rijetësimi Korçës si një qendër kulturore dhe ekonomike plot gjallëri
Qyteti i Korçës në juglindje të Shqipërisë shquhet për rëndësinë kulturore, historike, bukurinë natyrore, si dhe për kontributin e vyer në arsimin dhe artin shqiptar. Për më tepër, Korça është i vetmi qytet në portofolin e AADF-së i cili ka përfituar nga dy ndërhyrje me projekte të modelit BID/TID.
AADF përfundoi ndërhyrjen përgjatë bulevardit “Shën Gjergji” në zonën pedonale të qytetit në vitin 2012. Komuniteti i biznesit vendas u bashkua nën modelin BID/TID për të rijetësuar bulevardin falë shoqatës BID Korça. Ky ndryshim u pasua nga një periudhë zhvillimi jo vetëm për zonën që përfshin BID Korça, por edhe për të gjithë qytetin. Projekti kërkoi një financim prej 1 milion dollarësh dhe u përqendrua në përmirësimin e infrastrukturës, dhënien e subvencioneve, ngritjen e kapaciteteve, si dhe në mbështetjen e jetës kulturore të zonës BID.
Në vitin 2016, AADF e konfirmoi edhe njëherë angazhimin për të rijetësuar zonat me rëndësi historike të cilat ishin lënë pas dore në qytetin e Korçës. Pazari i Vjetër i Korçës përbëhet nga një sërë godinash tregtare, zejtare, dhe banesash të cilat mbartin vlera domethënëse arkitekturore dhe artistike duke zënë fill që në shekullin e 19-të. Ato janë dëshmi e rolit të rëndësishëm që luanin tregtarët dhe zejtarët në jetën ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë. AADF bashkëpunoi me qeverinë shqiptare dhe Bashkinë Korçë, si dhe me komunitetin lokal të biznesit për të rijetësuar Pazarin e Vjetër të Korçës, duke i kthyer atij shkëlqimin e dikurshëm. Sot pazari është shndërruar në destinacionin më të rëndësishëm për turistët dhe një vendndalim i pashmangshëm për çdo vizitor të Korçës.
AADF ka vijuar mbështetjen për bizneset e zonës duke ofruar shërbime konsulence dhe subvencione të vogla, si dhe duke themeluar shoqatën e biznesit TID Korça. Shoqatat BID edhe TID Korça luajnë një rol kryesor në administrimin e përditshëm dhe mbikëqyrjen e Pazarit të Ri dhe zonës pedonale, të cilat shërbejnë si qendra e aktivitetit ekonomik dhe turistik të qytetit të Korçës.
Find out more